top of page

5 arsye pse mbajmë ujin në trup


Është fjala për mbajtjen në mënyrë jonormale të ujit në trup, që mund të manifestohet me enjtje të pjesëve të veçanta të trupit, kryesisht këmbët, duart dhe/ose barku. Megjithëse enjtja e përkohshme nuk është problematike, nëse vazhdon për kohë të gjatë, ajo mund të tregojë për një sërë problemesh serioze, si dobësimi i punës së veshkave, cirroza e mëlçisë, problemet e zemrës apo menopauza e parakohshme.

Shkaqet më të shpeshta të mbajtjes jonormale të ujit në trup janë:

  • Dieta

Natriumi përmban elementët e nevojshëm për funksionimin normal të trupit, por marrja e sasive të mëdha të tij nëpërmjet kripës mund të shkaktojë probleme të rëndësishme, si mbipesha trupore dhe mbajtja e ujit në trup.

  • Stili i jetesës

Qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë ose ndenjur shkakton mbajtje të ujit në inde. Këtë mund ta keni konstatur edhe vetë, me enjtje të këmbëve ose të kyçeve.

Këshillë: është tepër e rëndësishme të mbani normal qarkullimin e gjakut gjatë ditës. Nëse proçesi i punës që kryeni është i tillë, që ju duhet të qëndroni në këmbë, bëni disa pushime të shkurtra për të ecur ose për të kryer disa ushtrime. Gjithashtu, përpiquni të gjeni kohë për aktivitet fizik gjatë ditës, të paktën 15-30 minuta.

  • Medikamentet

Medikamentet që përdoren për stabilizimin e presionit të gjakut kur ai është i lartë (anti-hipertensivët), medikamentet që përdoren për stabilizimin e ritmit të zemrës kur ai është i shpejtë (beta-bllokuesit), medikamentet e trajtimit të depresionit (anti-depresantët), etj. mund të shkaktojnë një sërë efektesh të padëshiruara në organizëm, një ndër të cilat është edhe mbajtja e ujit në trup.

Këshillë: nëse konstatoni enjtje në zona të ndryshme të trupit, ose në gjithë trupin, kontaktoni mjekun tuaj për ndryshimin e terapisë.

  • Hormonet

Përgjithësisht, femrat janë më të prirura se meshkujt për të mbajtur ujin në trup, dhe për pasojë për të shfaqur enjtje. Kjo është e lidhur me hormonet seksuale, si gjatë ciklit menstrual, periudhës rreth menopauzës dhe asaj të menopauzës.

Këshillë: së pari, kujdesuni për mënyrën e ushqyerjes, duke eleminuar ushqimet që shkaktojnë mbajtje të ujit dhe enjtje (si kripa). Nëse kjo nuk jep rezultat, konsultohuni me mjekun, i cili nëse e gjykon të nevojshme, mund t’ju rekomandojë terapi hormonale, për të balancuar nivelet e hormoneve tuaja.

  • Problemet e zemrës

Një nga simptomat e çrregullimeve të zemrës është enjtja e këmbëve ose e barkut. Në të tilla raste, enjtja kombinohet me pafuqinë trupore, rrahjet e shpejta të zemrës dhe frymëmarrjen e shpejtuar. Në çdo situatë të tillë, drejtohuni menjëherë tek mjeku kardiolog për të vlerësuar gjendjen.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page