Ushqimet që rrisin përqëndrimin
Ndiheni të lodhur dhe të përgjumur? E keni të vështirë të përqëndroheni për më tepër se pak minuta? Nëse nuk përqëndroheni dot, mos mendoni që është problem vetëm i juaji. Në fakt, paaftësia për t’u përqëndruar është një problem i shpeshtë për njerëzit në gjithë botën.
Të gjithë e dimë që përqëndrimi është tepër i rëndësishëm për performancën tonë ditore. Ai konsiderohet një nga faktorët kryesorë për të qënë i sukseshëm në jetë. Ne jemi ajo çfarë konsumojmë, dhe nëse dieta jonë ushqimore është e pasur me produkte që përmbajnë lëndë ushqyese, vitamina dhe minerale të nevojshme për trurin, sigurisht që edhe aftësia jonë për t’u përqëndruar do të jetë e shkëlqyer.
Ja disa ushqime që rritin nivelin tuj të përqëndrimit:
Avokado
Avokado është një burim i shkëlqyer i yndyrnave të shëndetshme, që nxisin qarkullimin e gjakut, i cili në fakt është tepër i rëndësishëm për funksionimin normal të trurit. Gjithashtu, avokado redukton rriskun për sëmundje kardio-vaskulare dhe ul nivelet e kolesterolit në gjak. Kjo ul rrezikun për pllakat aterosklerotike dhe ndihmon rrjedhjen e gjakut në enët e trurit, duke lehtësuar furnizimin e qelizave të trurit me të.
Peshku
Lloje të tilla peshku si toni, salmoni, harenga dhe skumbri përmbajnë shumë acide yndyrore omega-3, që janë thelbësore për funksionimin normal të sistemit nervor. Sardelet janë të pasura edhe me jod, që ruan qartësinë mendore.
Drithërat
Janë burime të shkëlqyera të fibrave dietike dhe vitaminës E, që është e nevojshme për përmirësimin e kujtesës. Përveç drithërave, kjo vitaminë mund të gjendet tek perimet jeshile, vezët, orizi dhe farat e kungullit. Përveçse përmirësojnë qarkullimin e gjakut, drithërat ruajnë të balancuara edhe nivelet e sheqerit në gjak. Për këtë arsye, meqenëse glukoza është kyçi i përqëndrimit, ju këshillojmë të konsumoni patjetër drithëra në mëngjes.
Boronica e kuqe
Përmban sasi të mëdha antioksidantësh, që mbrojnë trurin nga radikalet e lira, të cilat mund të shkaktojnë humbje të koordinimit dhe kujtesës.
Tërshëra
Siç e thamë, mëngjezi është vakti më i rëndësishëm i ditës, pasi ju siguron energjitë e para për të nisur ditën. Gjithashtu, studimet kanë treguar se personat që konsumojnë mëngjes rregullisht janë më pak të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje serioze, si obeziteti, hipertensioni arterial dhe diabeti i sheqerit, krahasuar me ata që nuk e bëjnë këtë. Nuk ka fillim më të shëndetshëm të ditës sesa me produkte që ju japin ndjesinë e ngopjes për disa orë, nuk përmbajnë shumë kalori dhe janë të shëndetshme për organizmin. E tillë është tërshëra, të cilën mund ta konsumoni të kombinuar me qumësht ose kos, fruta të freskëta, kanellë ose ëmbëlsuesa natyralë, si mjalti.
Çokollata e zezë
Është një produkt i shkëlqyer për rritjen e përqëndrimit, pasi rrit nivelet e serotoninës dhe endorfinës, që janë substanca përgjegjëse për përqëndrimin. Gjithashtu, çokollata e zezë është një burim i shkëlqyer antioksidantësh, vitaminash, apo mineralesh si kaliumi, bakri, magnezi, që ndikojnë tek presioni i gjakut. Ajo përmban pak yndyrna dhe sheqer, krahasuar me çokollatën me qumësht ose çokollatën e bardhë. Kjo e bën të përdorshme edhe për diabetikët, që janë të interesuar të evitojnë sheqerin e tepërt.
Kujdes! Ekspertët këshillojnë që të zgjidhni cilësinë më të mirë të këtij produkti, dhe të lexoni me kujdes kaloritë që ai përmban. Sipas tyre, një kuadrat i çokollatës së zezë mjafton gjatë pasdites, për të qenë i kthjellët deri në fund të ditës.
Uji
Shpesh na ndodh të gjithëve të na pihet një gotë ujë në fillim të ditës, veçanërisht pas një mbrëmjeje të ngarkuar me ushqime hiperkalorike dhe shumë kripë. “Etja dhe dehidrimi mund të shkaktojnë lodhje” thonë ekspertët. Nëse pini një filxhan kafe ose një pije energjike, do të dehidroheni dhe më pas do të ndiheni më të lodhur. Prandaj, përpara gjithçkaje tjetër, kujdesuni që të pini 10 gota ujë gjatë ditës. Shtrydhni pak limon të freskët në të, që të bëhet më i shijshëm.
Manaferrat
Përveçse janë të shijshme dhe të pasura me antioksidantë, ato janë forcuese të shkëlqyera të kujtesës. Studimet kanë provuar se personat që konsumojnë lëng manaferrash çdo ditë për 2 muaj rresht, përmirësojnë performancën e tyre në fushën e të mësuarit dhe të kujtesës. Lëngu i manaferrave të freskëta rekomandohet të konsumohet në mëngjes, si shoqërues i ushqimit.
Çaji jeshil
Nëse ndiheni të pafuqishëm në mesditë, mendohuni mirë përpara se të pini një kafe tjetër. Me sheqerin shoqërues, ajo mund të rrisë kalorazhin tuaj ditor, duke nxitur mbipeshën. Përveç kësaj, konsumimi i egzagjeruar i kafeinës mund të shkaktojë dhimbje koke, që çon në uljen e përqëndrimit.
Për këto arsye, çaji jeshil është konsideruar gjithmonë një alternativë e shëndetshme e kafesë, pasi ka më pak kafeinë se një filxhan kafe, dhe kjo është një gjë e mirë. Gjithashtu, teanina që përmbahet në të përmirëson aftësitë mendore, si vigjilenca dhe përqëndrimi. Nëse dëshironi të rizgjoheni pasdite, zgjidhja më e mirë është çaji jeshil.
Panxhari
Ja dhe një produkt tjetër, që ndihmon për një kujtesë më të mirë, përqëndrim të shkëlqyer dhe aftësi njohëse optimale. Panxhari përmban nitrate që mund të zgjerojnë enët e gjakut, shtojnë rrjedhjen e gjakut dhe oksigjenit në tru, duke përmirësuar performancën mendore. Shtoni panxhar në sallatë, antipasta, ose konsumoni lëngun e tij për një shëndet mendor optimal.
Bananet
Nëse jeni me nxitim në mëngjes, kapni një banane dhe konsumojeni atë duke dalë nga shtëpia. Jo vetëm që janë të shijshme, por do ju ndihmojnë të jeni më të përqëndruar gjatë ditës.
Një studim i vitit 2014 provoi që studentët që konsumonin banane përpara provimit, rezultonin më mirë sesa të tjerët. Bananet janë të pasura me kalium, një mineral thelbësor për trurin, nervat dhe zemrën.
Spinaqi
Spinaqi është një alternativë e mirë për sallata, antipasta dhe gatime të ndryshme. Ai njihet si ushqyes i trurit, pasi përmban luteinë, folate dhe beta-karoten. Të tre këto elemente parandalojnë demencën. Ja pse mjekët neurologë rekomandojnë konsumimin e spinaqit të paktën tre herë në javë !
Veza
Ndoshta e keni bërë zakon ta flakni të verdhën e vezës dhe të konsumoni vetëm të bardhën e saj, por ekspertët thonë që duhet ta ruani edhe atë. Veza e zier, e gjitha, është një burim i shkëlqyer acidesh yndyrore omega-3, që kanë një efekt të favorshëm mbi kujtesën dhe humorin. Gjithashtu, veza përmban kolinë, që ruan të shëndetshme membranat e qelizave të trurit.