top of page

Kafeja dhe Diabeti


Studimi i parë i kryer për të vlerësuar nëse ndryshimi në sasinë e kafesë ose çajit të konsumuar kishte ndonjë efekt në riskun e shfaqjes së diabetit tip 2 tek individët e shëndetshëm, ishte ai i publikuar në prill të këtij viti në revistën prestigjioze mjekësore “Diabetologjia”. Pas 4 vjetësh nga fillimi i studimit, efektet ishin të dukshme.

Në këtë studim u konstatua se personat që e rritën sasinë e kafesë që konsumonin në ditë me rreth 1 flixhan e gjysëm, kishin mesatarisht një risk 11 % më të ulët për të zhvilluar diabet tip 2 pas 4 vjetësh, krahasuar me personat që nuk e shtuan sasinë e kafesë. Dhe në rast të kundërt, ata që e reduktuan sasinë e kafesë së konsumuar në ditë me një mesatare prej 2 filxhanësh në ditë, rezultuan me një risk 17% më të lartë për të zhvilluar diabet tip 2 gjatë 4 viteve të ardhshme, krahasuar me ata që nuk e pakësuan sasinë ditore të kafesë së konsumuar.

Ndryshimet në sasinë e çajit të konsumuar nuk u shoqëruan me risk të lartë për diabet tip 2, ndoshta për shkak se jo shumë njerëz e konsumojnë çajin, apo shtojnë sasinë e çajit që konsumojnë.

Si ky studim, edhe shumë studime të tjera të viteve të fundit, theksojnë të njëtën gjë: konsumi i madh i kafesë shoqërohet me risk më të ulët për diabet tip 2. Ajo që ishte risi në studimin e mësipërm, ishte fakti që ai analizoi ndryshimet aktuale në konsumin e kafesë dhe çajit, dhe riskun për diabet tip 2 tek personat që shtuan sasinë e tyre, krahasuar me ata që nuk bënë ndryshime.

Bëhet fjalë për konsumin e një sasie të rregullt kafeje, prej 4-6 filxhanë kafeje në ditë, jo kapuçino apo kafe të tjera, por thjesht për kafen e zezë, me ose pa qumësht apo sheqer.

Megjithatë, edhe ata që konsumojnë sasi më të pakta të kafesë, përfitojnë një ulje të riskut për diabet tip 2 dhe sëmundje kardio-vaskulare.

Për këtë arsye, konsumi i kafesë duhet të konsiderohet si një faktor i rëndësishëm i uljes së riskut për të shfaqur diabet tip 2, si një pjesë e rëndësishme e një mënyrë të shëndetshme të jetesës, për ruajtjen e një peshe trupore ideale dhe një trupi të shëndetshëm, nëpërmjet konsumit të një regjimi ushqimor të shëndetshëm.

Duke ulur shkallën e rrezikut të diabetit të sheqerit të tipit 2, kafeja mund të konsiderohet një mjet i mirë parandalues i sëmundjeve shoqëruese të tij, si hipertensioni arterial, yndyrnat e larta në gjak, sëmundjet e zemrës, të syve, të veshkave, nervave, etj.

Sigurisht, bëhet fjalë gjithmonë për personat që e tolerojnë kafeinën që përmban kafeja!


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page