7 toksinat që shkatërrojnë gjendrën tiroide
Gjendra tiroide funksionon si një qendër e vërtetë kontrrolli për organizmin, pasi rregullon përdorimin e energjisë dhe metabolizmin e lëndëve në organizëm, si dhe kontrrollon ndjeshmërinë e trupit ndaj hormoneve të tjera. Pjesa e përparme e gjendrës hipofizare, që gjendet në tru, prodhon hormonin që stimulon gjendrën tiroide, me inicialet TSH, i cili është përgjegjës për çlirimin e hormoneve të kësaj të fundit në gjak. Bilanci i analizave për vlerësimin e funksionit të gjendrës tiroide përfshin dy hormonet e saj në formën e tyre të lirë, FT3 dhe FT4, si dhe TSH.
Shkalla e funksionimit të gjendrës tiroide ndikohet nga një sërë faktorësh. Ndër ta, më të shpeshtët dhe më të rëndësishmit për nga roli negativ që luajnë, janë substancat toksike. Mjedisi ku jetojmë përmban shumë toksina, të cilat nuk mund t’i evitojmë. Fatmirësisht, mund të zvogëlojmë riskun për të zhvilluar ndërlikime me gjendrën tiroide, duke minimizuar ekspozimin tonë ndaj përbërjeve toksike. Gjendra tiroide mund të mbrohet prej tyre nëpërmjet suplementeve që përmbajnë jod.
7 toksinat shkatërruese për tiroiden, ndaj të cilave ekspozohemi më shpesh, dhe që kanë efekte të padëshiruara për tiroiden janë:
Produktet plastike
Kanë efekte të rënda shkatërruese mbi të gjithë organizmin, në veçanti mbi gjendrën tiroide. Lënda kimike që çlirohet nga shishet plastike është vetëm njëri aspekt.
Një studim i kryer në Universitetin e Kopenhagenit zbuloi se nivelet e e antimonit të gjetura në lëngjet e frutave të tregtuara me shishe plastike ishin 2,5% më të larta se ato që konsiderohen të sigurta për ujin e pijshëm. Ky element, ashtu si edhe ftalatet, dobëson funksionin e gjendrës tiroide.
Soja
Njihet tashmë fakti që proteinat e sojës neutralizojnë peroksidazën e tiroides. Fitoestrogjenet, proteinat që gjenden tek soja, veprojnë si një agjent çrregullues i funksionit tiroidien, përderisa bllokojnë sekretimin e hormonit tiroidien, pengojnë shndërrimin e jodit në hormone tiroidiene, bllokojnë aftësinë e organizmit për të përdorur jodin, dhe ndërpresin shndërrimin në periferi të T4 në T3. Një fakt tjetër i rëndësishëm është që soja është një ushqim i modifikuar gjenetikisht. Gjithashtu, studimet kanë treguar që fëmijët që ushqehen me qumësht soje kanë TSH të rritur, pra mangësi në prodhimin e hormoneve të tiroides, krahasuar me ata që konsumojnë qumësht të thjeshtë.
Fluori
70 % e ujit të rubinetit në Amerikë përmban fluor, për të parandaluar shfaqjen e kariesit dentar. Një fakt ende i panjohur është që gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX, fluori përshkruhej në sasi të vogla 2-5 mcg në ditë për gjatë më shumë se 1 muaji, për të trajtuar mosfunksionimin normal të tiroides. Duke ditur që shumë njerëz atë e marrin në sasi të mëdha nëpërmjet ujit, është vërtet për t’u shqetësuar, pasi mund të shkaktojë çrregullime të rëndësishme të funksionit.
Halogjenet
Halogjenet janë fluori dhe klori. Ato përthithen në organizëm përmes ushqimit, ujit dhe mjedisit, dhe pengojnë tiroiden të funksionojë normalisht. Mbiekspozimi ndaj tyre shkakton ulje të funksionit të tiroides, nëpërmjet bllokimit të receptorëve që kapin jodin në organizëm.
Bromi
Bromi është një substancë toksike për gjendrën tiroide, që gjendet pothuajse kudo, që nga pishinat e pastra deri tek makaronat. Edhe personat e shëndetshëm mund të kenë nivele të larta të bromit në gjakun e tyre. Është vërtetë e vështirë të gjesh një produkt që nuk e përmban këtë element kimik.
Pesticidet
Studimet kanë treguar që rreth 60% e pesticideve të përdorura në jetën e përditshme dëmtojnë prodhimin e hormoneve të gjendrës tiroide. Në mënyrë të vecantë, lëndët pesticide kundër kërpudhave dhe barërave të këqia, që përdoren tek perimet që konsumojmë, ulin funksionin prodhues të tiroides dhe nxisin shtimin në peshë.
Gjithashtu, bashkëshortet e meshkujve që përdorin pesticide gjatë punës së tyre rezultojnë se rrezikohen më tepër për të zhvilluar probleme të gjendrës triodie, krahasuar me gratë e tjera.
Perkloratet
Perkloratet janë substance të përftuara nga lëndët djegëse të avionëve, raketave dhe fishekzjarreve. Çdo banues i tokës ka perklorate në trupin e tij, pasi ai gjendet në ujin që përdoret për të vaditur frutat dhe perimet, madje edhe në ujin e pijshëm. Studimet tregojnë që është tepër e vështirë të evitohet ekspozimi ndaj perklorateve, por mund të minimizohen efektet e tyre të dëmshme nëpërmjet përdorimit të ujit të filtruar dhe konsumit të frutave dhe perimeve organike.