Shenjat e diabetit të fshehtë
Sheqeri i lartë në gjak, i njohur me termin “hiperglicemi” është një problem që mund të manifestohet me një shumëllojshmëri simptomash. Ai ndodh kur niveli i glukozës (sheqerit) në gjak rritet mbi kufirin maksimal të normës (110 mg/dl). Ne marrim glukozë nga një pjesë e madhe e ushqimeve, ku duhet të theksojmë ëmbëlsirat, akulloret, pijet me gaz, lëngjet e frutave, çokollatat, etj.
Për fat të mirë, trupi ynë është shumë fleksibël për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak, veçanërisht kur ai është i lartë. Kështu, kur konsumojmë produkte me sheqer pankreasi prodhon insulinën, një hormon që trupit tonë i nevojitet për të djegur sheqerin. Ky lloj sistemi funksionon mjaft mirë tek personat e shëndetshëm, jo diabetikë.
Nëse trupi ynë nuk prodhon aq insulinë sa nevojitet për të djegur glukozën, do të jemi më të rrezikuar për të pasur nivel të lartë të sheqerit në gjak. Kjo mund të ndodhë edhe kur insulina prodhohet mjaftueshëm, por nuk arrin ta djegë sheqerin për shkak të dhjamit të tepërt në trup, siç ndodh tek personat mbipeshë dhe obezë. Në të dy rastet mund të shfaqet sëmundja e diabetit të sheqerit.
Disa nga shenjat e para që tregojnë se sheqeri në gjak është i lartë janë:
Lodhja trupore: e rëndësishme, e vazhdueshme, që ju pengon të keni ditë cilësore. Referohet nga pacientët si lodhje e madhe, e pajustifikuar me aktivitetin që kryejnë.
Etja e tepruar: ndjesia që duhet të pini më shumë ujë se zakonisht është një nga simptomat e diabetit.
Oreksi i tepruar, i shoqëruar çuditërisht me humbje të peshës trupore. Ky kombinim mund të haset tek personat me diabet të sheqerit të padiagnostikuar dhe/ose të patrajtuar, por edhe në rastet me mbiprodhim të gjendrës tiroide (hipertireozë). Mjafton një konsultë me mjekun Endokrinolog për të përcaktuar diagnozën.
Urinimi i shpeshtë: glukoza e rritur mund të jetë përgjegjëse për eleminimin e tepërt të ujit në formën e urinës. Sasitë e mëdha të glukozës në gjak mund të dëmtojnë enët e gjakut në veshka (nefropatia diabetike), gjë që e bën proçesin e filtrimit më pak efikas, duke prodhuar më shumë urinë.
Dhimbja e kokës: është tepër e zakonshme për shumicën e njerëzve, por kur ajo bëhet kronike meriton të diskutohet me një mjek.
Vështirësia në shikim: sasi të tepërta të glukozës në gjak mund të përfundojnë në retinë, duke shkaktuar një gjendje të quajtur retinopati diabetike. Si rezultat, mund të kemi një pamje të turbullt.
Ndjesia e mpirjes dhe/ose e shpimit të gjilpërave në pulpat dhe/ose shputat e këmbëve
Vështirësia për t’u përqëndruar
Tharja e gojës
Gjendja e konfuzionit
Frymëmarrja e shpeshtë dhe sipërfaqësore
Dhimbjet e barkut