I dobët, normal apo mbipeshë?
- Sep 9, 2017
- 2 min read

Pse të qënurit "i dobët" është më keq sesa të jesh mbipeshë? Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, të qënurit me peshë normale ose i dobët ndonjëherë mund të jetë më e rrezikshme sesa të qënurit i dhjamosur.
Të paktën, kjo është ajo që u konkludua nga një studim, që krahasoi njerëzit normalë ose të dobët por me dhjam të tepërt, të depozituar në zonën e belit, me ata që ishin mbipeshë ose obezë, me masë dhjamore të shpërndarë në të gjithë trupin.
Pas ndjekjes së më shumë se 15.000 amerikanëve në moshë të rritur, mbi 14 vjeç, studiuesit gjetën se pjesëmarrësit e konsideruar si normalë ose të dobët, kishin risk më të madh për vdekje se ata me BMI më të lartë.
Në fakt, meshkujt me peshë normale, por me raport të perimetrit të belit dhe atë të vitheve të lartë, kishin risk vdekshmërie 2 herë më të madh sesa ata që ishin konsideruar mbipeshë ose obezë. Edhe jetëgjatësia e pritshme në përgjithësi ishte shumë më e ulët për këtë kontigjent, krahasuar me ata që peshonin më shumë, por me shpërndarje të dhjamit në të gjithë trupin.
Me fjalë të tjera, shpërndarja e dhjamit në organizëm është tepër e rëndësishme kur bëhet fjalë për shëndetin tuaj.
Ndërkohë që ky studim nuk e sqaron saktësisht faktin pse shpërndarja e dhjamit është kaq e rëndësishme, studime të tjera të mëparshme kanë konstatuar se dhjami visceral, pra ai që gjendet në thellësi të barkut tuaj, është më i dëmshëm sepse rrethon organet jetike. Dhe dhjami në zonën e belit, krahasuar me atë që gjendet në zona të tjera të trupit, si psh. me dhjamin e krahëve, është më i lidhur me rezistencën ndaj veprimit tw insulinës, çrregullimet hormonale dhe inflamacionin në organizëm.
Këto argumente sigurisht që nuk nënkuptojnë që mbipesha është e shëndetshme. Ajo është e lidhur ngushtë me diabetin e sheqerit dhe sëmundjet e zemrës. Por, ky informacion na ndërgjegjëson për faktin që edhe nëse kemi BMI normale, përsëri mund të jemi të rrezikuar.
Lajmi i mirë është që, nëse jeni të shqetësuar rreth dhjamit në zonën e belit, mund të bëni shumë gjera për ta pakësuar atë, të tilla si ushtrimet fizike të rregullta dhe ushqyerja e rregullt.



























Comments