Ushqime që çrregullojnë hormonet dhe dëmtojnë lëkurën tuaj
Puçrrat janë një problem i shpeshtë, që shqetëson shumicën e njerëzve. Sigurisht që mosha më e prirur për këtë problem është ajo e pubertetit, si tek meshkujt edhe tek femrat. Gjithsesi, ato mund të shfaqen edhe në mosha të mëvonshme, si pasojë e çrregullimeve hormonale në organizëm. Puçrrat hormonale janë rezultat i një çekuilibri endokrin. Shumica e femrave i përjetojnë ato në mes të ciklit menstrual dhe/ose menjëherë para menstruacioneve të tyre - dy pika kohore kur estrogjeni dhe testosteroni janë në nivelet e tyre më të larta. Tek femrat me çrregullime hormonale mund të grumbullohen sasi të mëdha të estrogjenit dhe testosteronit. Kjo e pengon trupin që të jetë në gjendje të detoksifikohet siç duhet, gjë që mund të çojë në dominimin e estrogjenit. Kjo pasohet nga skuqja e lëkurës dhe shfaqja e puçrrave në fytyrë.
Ushqimet më të këqia për hormonet dhe lëkurën tuaj:
1. Karbohidratet e përpunura dhe ushqimet fast-food
Këto lloj karbohidratesh gjenden me shumicë tek ëmbëlsirat, orizi dhe makaronat e bardha, produktet e përgatitura me miell të bardhë, pijet me gaz, pijet energjike, dhe shurupët e ëmbëlsirave me shije të ndryshme (luleshtrydhe, vanilje, çokollatë, etj).
2. Bulmeti
Shumë produkte të qumështit përmbajnë hormone sintetike që kontribuojnë në shtimin e hormoneve në trup. Kjo mund të shkaktojë inflamacion, duke çuar në shfaqjen e puçrrave dhe probleme të tjera në lëkurë.
3. Soja
Soja përmban fitoestrogjenë që mund të çekuilibrojnë hormonet. Nëse jeni tashmë të ndjeshëm ndaj hormoneve, konsumimi i sojës mund të shkaktojë çrregullime serioze të tyre. Soja është një përbërës i gjendur në shumë ushqime, prandaj sigurohuni që të lexoni me kujdes etiketat e ushqimeve përpara se t’i konsumoni ato.
4. Gluteni
Gluteni është i ngjashëm me qumështin në mënyrën sesi ndikon në trup. Ai shkakton inflamacion në zorrë dhe mund të çrregullojë nivelet e hormoneve. Gjithashtu mund të jetë përgjegjës edhe për probleme të tjera shëndetësore.
5. Ushqimet e pasura me acide yndyrore omega-6
Dieta perëndimore është e pasur me të tilla produkte (si vaji i misrit apo i sojës), dhe e varfër në produkte të pasura me omega-3 (si peshku dhe arrat). Kjo prishje e balancës ndërmjet tyre mund të shkaktojë inflamacion kronik në lëkurë , që mund të përkeqësojë gjendjen e puçrrave, veçanërisht gjatë kohës së pikut të estrogjenit.
6. Kafeina
Kafeina mund t’ju ndihmojë të zgjoheni në mëngjes, por kjo gjithashtu mund të ndikojë në përgjigjen imune të lëkurës suaj. Si kafja, çaji, ashtu edhe çokollata mund të varfërojnë trupin tuaj në vitaminat esenciale të grupit B, si dhe në magnez dhe zink, që janë të domosdoshëm për një lëkurë të pastër dhe të shëndetshme.