Pozicionet më të përshtatshme të fjetjes për disa probleme shëndetsore
Pozicioni më i shpeshtë i fjetjes është ai anësor. Të paktën 57% e njerëzve referojnë se bien në gjumë në këtë pozicion. 17% referojnë pozicionin në shpinë dhe 11% atë përmbys. Gjithsesi, shumica e njerëzve e ndryshojnë pozicionin fillestar të gjumit gjatë natës, por edhe në netë të ndryshme. Më poshtë mund të njiheni me pozicionet më të përshtatshme të fjetjes për probleme të veçanta shëndetsore.
Nëse vuani nga dhimbja e qafës
Vendoseni qafën në një pozicion neutral dhe evitoni fjetjen përmbys. Vendosja e disa jastëkëve mund t’ju ndihmojë jo vetëm për pozicionimin e mirë të qafës, por edhe atë të gjunjve, për një shpërndarje më të mirë të peshës trupore. Mos harroni që jastëku i kokës duhet të vendoset deri poshtë supeve. Disa ekspertë sugjerojnë edhe përdorimin e një peshqiri të rrotulluar në këtë zonë, për të mbështetur plotësisht qafën.
Nëse gërrhisni ose shfaqni apne gjatë gjumit
Rekomandohet fjetja në njërën anë ose përmbys, për të shmangur rënien e gjuhës ose të indeve të fytit, të cilat pengojnë frymëmarrjen normale. Një mënyrë për të penguar kthimin në shpinë gjatë natës, është vendosja e mjeteve të ndryshme në zonën e shpinës, të fiksuara me pizhamet. Për këtë qëllim mund të shërbejë një top tenisi, një jastëk i madh ose një top letre higjienike.
Nëse vuani nga refluksi gastro-ezofageal
Ekspertët rekomandojnë fjetjen në shpinë, me kokën e ngritur mbi dy jastëkë, ose ngritjen e kokës së shtratit, nëpërmjet vendosjes së mjeteve të përshtatshme nën këmbëzat e shtratit. Nëse nuk e realizoni dot fjetjen në këtë pozicion, flini në njërën anë.
Nëse vuani nga fashiti plantar
Fashiti plantar është një inflamacion i indit të shputës së këmbës, i shkaktuar shpesh nga vrapimi, ose nga mbështetja e dobët e harkut të këmbës. Është e rëndësishme të vendosni këmbët dhe kyçin e këmbës në një pozicion të relaksuar.
Nëse vuani nga dhimbja e shpinës
Vendosni një jastëk ose një peshqir të rrotulluar poshtë kokës, që të përfshijë edhe pjesën e sipërme të shpatullave, me qëllim që të ruajë harkun fiziologjik të trupit. Ky është pozicioni më i përshtatshëm për dhimbjen e shpinës.
Nëse keni probleme me shpinën, gjunjët dhe belin
Rekomandohet fjetja në pozicion anësor, të ngjashëm me pozicionin e fetusit, me një jastëk midis gjunjëve, për mbështetje maksimale të gjunjëve dhe kofshëve.
Fjetja përmbys mund t’i rëndojë problemet me qafën dhe shpinën. Gjithsesi, nëse vetëm në këtë pozicion mund të flini, vendosni një jastëk poshtë baçinit dhe fundit të barkut, për një pozicion më të drejtë të trupit.