Më i dëmshëm sheqeri apo kripa?
Këshilla e kohëve moderne "çdo gjë nga pak" vlen për konsumatorët e shëndetshëm, por kur është fjala për sheqerin dhe kripën, dilema mbetet. Megjithëse të dy këto produkte luajnë role jetike për shëndetin (trurit i duhet sheqeri për energji, dhe muskujve u duhet kripa për t’u kontraktuar), kur konsumohen tepër ato mund të shkaktojnë një shumëllojshmëri problemesh shëndetësore. Pra cili prej të dyve ka ndikim më të madh në shëndetin tonë dhe pse?
Sheqeri
Kur tërhiqet vëmendja për sheqerin, nuk bëhet fjalë për atë që gjendet në frutat dhe perimet, po për sheqerin e rafinuar që gjendet në një sërë produktesh të proçesuara, të cilat përmbajnë shumë sheqer dhe shumë kalori. Të tilla ushqime nuk ofrojnë vlera ushqyese (si fibra, proteina, vitamina dhe minerale), pasi këto pakësohen gjatë proçesit të përpunimit të tyre. Kjo është arsyeja pse konsumimi i egzagjeruar i ushqimeve të tilla çon në obezitet, me të gjitha sëmundjet shoqëruese të tij, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, shtimi i yndyrnave të këqia në gjak, kanceri, etj.
Të gjitha sheqernat kanë efekt të ngjashëm në organizëm, atë të rritjes së nivelit të sheqerit në gjak, duke nxitur prodhimin e insulinës. Trupi çliron insulinën, në mënyrë që kjo e fundit të lëvizë sheqerin nga gjaku dhe ta çojë në qeliza për ta përdorur si energji.
Në përgjithësi, ky proçes është mjaft i qetë, por kur jeni duke konsumuar sasi të mëdha të sheqerit puna e insulinës çrregullohet, dhe kjo mund të çojë në zhvillimin e diabetit të tipit 2, i cili është shkaku kryesor i dëmtimit të veshkave, është faktori kryesor i rrezikut për atak në zemër dhe glaukomë.
Kripa
Ndërsa efektet e sheqerit janë duke u kuptuar gjithnjë e më shumë, roli i kripës në shëndetin tonë është ende objekt debati. Për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, një sasi e moderuar e kripës përpunohet lehtësisht dhe kërkohet nga vetë trupi, ndërsa sasitë e tepërta të saj mund të ndikojnë në shfaqjen e problemeve shëndetësore afatgjata. Për shumë vite, ekspertët besonin se natriumi (kripa) shkaktonte mbajtjen e lëngjeve në trup dhe një rritje të presionit në enët e gjakut, duke çuar në hipertension arterial. Ky i fundit mund të shkaktojë probleme të mëdha shëndetësore, të tilla si goditjet në zemër dhe në tru, si dhe probleme të veshkave dhe të shikimit. Megjithatë, lidhja midis kripës dhe presionit të lartë të gjakut është ende në studim. Studimet e viteve të fundit kanë provuar që konsumi i kripës nuk ishte i lidhur me presionin sistolik të gjakut si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Shkencëtarët tashmë pranojnë që lidhja e supozuar midis kripës dhe presionit të gjakut është "e ekzagjeruar" dhe "më komplekse sesa mendohej dikur". Sipas tyre, nuk ka dëshmi të besueshme se kripa ndikon në presionin e gjakut ose në problemet kardiake që lidhen me të.
Për një person normal, pra të shëndetshëm, kripa nuk është domosdoshmërisht e dëmshme kur konsumohet në sasi të kontrolluara. Sigurisht që duhet treguar kujdes për disa grupe njerëzish që janë më të ndjeshëm ndaj kripës, siç janë personat mbi 50 vjeç dhe ata që tashmë vuajnë nga presioni i lartë i gjakut. Problemi real me kripën e tepërt është se pjesa më e madhe e saj vjen nga ushqimet e përpunuara dhe ato të restorantit, sesa nga kripa që konsumohet në shtëpi. Këto ushqime janë zakonisht më të pasura në yndyrna dhe kalori, dhe sigurojnë më pak elemente të nevojshme (vitamina dhe minerale) krahasuar me ushqimet e freskëta të përgatitura në kushtet e shtëpisë. Kjo mund të çojë në mbipeshë dhe pasojat e saj, një ndër të cilat është edhe presioni i lartë i gjakut.
Pra ... cili është më i dëmshëm?
Asnjëri prej tyre nuk është veçanërisht i rrezikshëm për sa kohë që konsumohen me kujdes, por sheqeri i tepërt ka më shumë ndikim negativ në shëndetin tuaj. Kripa është thelbësore për trupin që të funksionojë siç duhet. Sheqeri nuk është. Veç kësaj, sheqeri mund të shtojë ndikimin negativ të kripës në organizëm, pasi insulina urdhëron veshkat të mbajnë natrium - dhe sa më shumë insulinë të prodhohet, aq më shumë ujë dhe natrium do të mbajnë veshkat. Rezultati? Presion i lartë të gjakut!
Për të mbajtur nën kontroll sasinë e sheqerit dhe kripës, përqendrohuni tek burimet natyrale të sheqernave, të tilla si drithërat, produktet e qumështit, frutat dhe perimet, dhe qëndrojuni larg ushqimeve të proçesuara që përmbajnë sheqer dhe kripë të rafinuar.