Përfitimet shëndetsore të dietës pa gluten
Shumë njerëz në botë vuajnë nga sëmundje autoimune, të cilat kërkojnë vëmendje të veçantë lidhur me mënyrën e ushqyerjes, në mënyrë që të evitohet gluteni.
Përveç këtyre sëmundjeve, konsumimi i produkteve me gluten mund të shkaktojë shfaqjen edhe të problemeve të tjera shëndetsore, që mund të jenë kronike, pra të kërkojnë trajtim gjatë gjithë jetës.
Mostolerimi ose ndjeshmëria e lartë ndaj glutenit mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me sëmundjen celiake. Ndryshimi qëndron se ky fenomen nuk është gjenetik, pra i trashëgueshëm, dhe nuk është rezultat i një sëmundjeje autoimune (siç është sëmundja celiake).
Çfarë është gluteni?
Gruri, elbi dhe thekra përmbajnë një proteinë të quajtur gluten. Edhe pse gluteni mund të tolerohet mirë, si një pjesë e një diete të shëndetshme, disa njerëz kanë ndjeshmëri të lartë ndaj tij. Njerëzit të cilët kanë reaksione fizike ndaj tretjes së ushqimeve që përmbajnë gluten, mund të lehtësohen nga simptomat pasi eleminojnë glutenin nga dieta. Ata mund ta zëvendësojnë glutenin me misrin, lirin dhe orizin.
Sëmundja celiake
Është një sëmundje autoimune, që karakterizohet nga mostretja e glutenit. Kjo pasohet nga mospërthithja e elementeve ushqimorë në nivelin e zorrës së hollë, që reflektohet me pakësim ose shtim të oreksit, dhimbje stomaku, fryrje të barkut, gazra të shumta, kapsllëk ose diarre, të përziera, dhe jashtëqitje me gjak ose të yndyrshme.
Kjo sëmundje shoqërohet edhe me probleme të tjera shëndetsore, si anemia, depresioni, lodhja trupore, migrena, skuqjet e lëkurës, dhimbjet e kockave dhe kyçeve, ulja e shkallës së fertilitetit (pjellorisë) dhe osteoporoza. Diagnoza e saj vendoset nëpërmjet një testi në gjak ose biopsisë së zorrës së hollë. Nëse mjeku e konfirmon sëmundjen celiake, dieta pa gluten mund t’i lehtësojë simptomat për shkak se mungesa e glutenit mund të eleminojë përgjigjen autoimune të zorrës së hollë ndaj këtij produkti.
Autizmi dhe dieta pa gluten
Njerëzit me çrregullimin e autizmit mund të kenë përmirësime të simptomave nëse ndjekin një dietë pa gluten dhe kazeinë. Kazeina është një proteinë që gjendet në produktet e bulmetit. Personat me autizëm mund të kenë vështirësi në metabolizmin e peptideve që përmbahen tek kazeina dhe gluteni. Kur peptidet nuk zbërthehen plotësisht, shkaktojnë çrregullime në tru, që reflektohen me sjellje autike. Dieta pa gluten duhet të vazhdojë për të paktën 1 vit që fëmija me autizëm të fillojë të shfaqë përmirësime të simptomave. Përpara se të ndjekë këtë tip diete, fëmija autik duhet të konsultohet me terapistin e tij.
Prindërit mund ta kenë të vështirë mbajtjen dhe monitorimin e kësaj diete nga ana e fëmijës, në rastet kur ai nuk pranon të bashkëpunojë.