Risqet e dietës me shumë proteina
Më shumë proteina, më shumë risqe!
Komuniteti mjekësor është kundër dietës me përmbajtje të lartë të proteinave, e njohur si dieta hiperproteinike. Ekspertët e fushës mendojnë se marrja e sasive të mëdha të proteinave në kurriz të frutave dhe perimeve, çon në marrjen e mangët të elementeve të rëndësishëm ushqyes, gjë që mund të shkaktojë shtimin e riskut për zhvillimin e kancerit. Gjithashtu, përdorimi afatgjatë i sasive të mëdha të proteinave mund të rritë nivelin e kolesterolit në gjak dhe shkallën e riskut për sëmundje të zemrës, osteoporozë dhe sëmundje të veshkave.
Më shumë yndyrna të ngopura, më pak fibra!
Dietat hiperproteinike janë të pasura me yndyrna të ngopura dhe të varfra në fibra. Studimet kanë treguar që ky kombinim mund të rritë nivelet e kolesterolit në gjak, si dhe shkallën e riskut për sëmundje të zemrës dhe atakun në zemër.
Në këto dieta proteinat përbëjnë 30-50% të kalorive ditore, ndërkohë që në një dietë ushqimore normale proteinat duhet të zënë vetëm 20% të kalorive ditore.
Mungesa e kalciumit
Individët që u nënshtrohen dietave hiperproteinike eleminojnë më shumë kalcium nëpërmjet urinës, krahasuar me individët me dieta normale. Për pasojë, nëse një person aplikon këtë tip diete për një kohë të gjatë, humbja e vazhdueshme e kalciumit do të rritë shkallën e rrezikut të tij për osteoporozë.
Proteinat mund të dëmtojnë funksionin e veshkave
Personat që vuajnë nga sëmundje të veshkave duhet të konsultohen me mjekun e tyre Nefrolog përpara se t’i nënshtrohen një diete hiperproteinike. Kjo për faktin se ky kontigjent mund ta humbasë më shpejt funksionin e veshkave nëse merr sasi të mëdha proteinash në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht nëse ato janë proteina shtazore.