top of page

Mite të pavërteta lidhur me ushqyerjen e fëmijëve


Çdo prind kujdeset me të gjitha mënyrat që fëmija i tij të ushqehet në mënyrë të shëndetshme. Nisur nga dëshira e mirë, ndonjëherë shumë prindër e teprojnë, duke çuar në kequshqyerje të fëmijës, të shoqëruar me nënpeshë ose obezitet. Kjo është pasojë e respektimit të disa miteve, që përgjithësisht kanë rezultuar të gabuara me kalimin e viteve. Sipas këtyre miteve, fëmija:

  • Nuk duhet të konsumojë ushqime përpara aktivitetit fizik!

Në të vërtetë, rekomandohet konsumi i ushqimeve 30-60 minuta para aktivitetit fizik, në mënyrë që të rritet performanca fizike e fëmijës dhe të përballohen maksimalisht ushtrimet fizike.

Kujdes duhet treguar me tipin dhe sasinë e ushqimit që do të konsumohet në këtë rast. Kështu psh., frutat e pashoqëruara me produkte të tjera nuk rekomandohen, sepse nuk përmbajnë proteina. Për këtë arsye, ato mund të kombinohen me arra, lajthi, biskota, ose në vend të tyre mund të konsumohet një fetë bukë e lyer me gjalp kikiriku ose çokokrem, një gotë qumësht me kakao, etj.

  • Duhet të konsumojë të gjithë ushqimin që përmban pjata!

Psikologët sugjerojnë që fëmija duhet të konsumojë ushqim aq sa ai dëshiron, dhe kur ndjen ngopje nuk duhet të detyrohet nga prindërit të konsumojë sasi tjetër ushqimi, vetëm e vetëm që të përfundojë të gjithë pjatën.

Sasitë e tepruara të ushqimit mund të jenë po aq të dëmshme për organizmin sa ç’është edhe mungesa e ushqyerjes ose kequshqyerja.

  • Nuk duhet të konsumojë asgjë para vaktit, në mënyrë që të jetë i uritur!

Glukoza (sheqeri) është i vetmi burim energjie për qelizat e trurit, që sigurohet nëpërmjet ushqimeve që konsumojmë. Tek të gjitha moshat, por veçanërisht tek fëmijët është tepër e rëndësishme ushqyerja e shpeshtë gjatë ditës, edhe në intervalet midis vakteve kryesore, në mënyrë që ata të kenë nivele të kënaqshme të sheqerit në gjak. Kjo do të rrisë performancën e tyre fizike dhe intelektuale, për të përballuar proçesin mësimor dhe aktivitetin fizik ditor. Pra, përveç tre vakteve kryesore, fëmija duhet të konsumojë edhe tre vakte të vogla, ndërmjet mëngjesit dhe drekës (rreth orës 11), drekës dhe darkës (rreth orës 17) dhe para gjumit. Këto mund të jenë fruta, që përmbajnë sheqer natyral, vitamina, minerale, ujë dhe fibra, të cilat janë tepër të dobishme për shëndetin e fëmijës. Gjithashtu, mund të konsumohen edhe arra, lajthi, kos frutash, biskota, etj.

  • Frutat duhet të merren në formën e lëngut ose të sallatës së frutave!

Gjithnjë e më shumë po kundërshtohet kjo mënyrë e konsumit të frutave. Meqenëse nënat kanë prirje që në moshën foshnjore t’ia japin fëmijës frutat në formën e lëngut ose kremit me përbërje frutash të ndryshme, fëmija nuk arrin dot të identifikojë dhe të mësohet me shijen e veçantë të një fruti të caktuar. Për pasojë, kur rritet, ai nuk i pëlqen frutat dhe shpesh i refuzon ato, duke i zëvendësuar me produkte të dëmshme si patatinat dhe çokollatat. Frutat duhet të konsumohen të freskëta nga fëmija, pra jo të shtrydhura. Ai duhet t’i konsumojë ato të ndara nga njëra-tjetra, pra paradite mund t’i jepet molla, pasdite portokalli, ose mandarina, ose kivi, ose banane.

Në këtë mënyrë, duke alternuar fruta të ndryshme në ditë të ndryshme dhe orare të ndryshme, fëmija mund të sigurojë të gjitha vitaminat që përmbajnë frutat. Veç kësaj, ai do të marrë jo vetëm lëngun, por edhe fibrat e tyre, që janë të nevojshme për organizmin.

  • Duhet ta konsumojë shpejt ushqimin!

Kjo mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme, që mund të jetë nxitimi, dita e ngarkuar e prindërve, etj. Nuk duhet të harrojmë që fëmija duhet të hajë ngadalë dhe ta shoqërojë ushqimin me lëngje të ndryshme, që i lehtësojnë tretjen e tij në organizëm. Kjo vlen edhe për të rriturit. Konsumi i shpejtë i ushqimit shpesh çon në mbingarkesë me ushqim, pasi nuk i lë kohë organizmit të ndiejë ngopjen.

  • Duhet të kufizojë ushqimin, që të mos shëndoshet!

Shumë nëna e praktikojnë këtë me fëmijët e tyre. Shtimi i shkallës së mbipeshës dhe obezitetit në moshat e rritura por edhe në ato fëminore ka alarmuar shumë prindër, që i fusin fëmijët në dieta të ndryshme, edhe pse ata mund të kenë peshë normale. Kjo nuk është e shëndetshme për fëmijën tuaj, pasi mund të shkaktojë mungesa të rëndësishme në organizmin e tij.

Nuk ka rëndësi vetëm sasia e ushqimit që konsumon fëmija, por edhe cilësia e tij. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë që fëmijë të ndryshëm kanë metabolizëm të ndryshëm, duke reaguar në mënyra të ndryshme ndaj ushqimeve të caktuara. Për këto arsye, kufizimi i ushqimit duhet të praktikohet vetëm tek fëmijët me prirje për mbipeshë, dhe gjithmonë në bashkëpunim me një Dietolog ose një mjek Endokrinolog.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page