A mund t’u besoni suplementeve?
Mendoni se e dini cili është suplementi më i sigurt për ju? Ndoshta duhet ta rimendoni…
Më tepër se gjysma e suplementeve bimore dhe dietike të analizuar nga shkencëtarët rezultuan se përmbanin përbërës që nuk gjendeshin në tabelat e tyre informuese. Madje, disa kishin komponentë të fshehur, si steroidet, që dëmtonin shëndetin. Në veçanti, suplementet për dobësim trupor dhe ato të rritjes muskulare (tek sportistët) kanë më shumë gjasa të përmbajnë përbërës që nuk gjenden në tabelat e tyre informuese.
Sipas shkencëtarëve, përbërësit e padeklaruar shkaktojnë dëmtim të rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të mëlçisë. Kështu, bazuar në të dhënat e Shoqatës amerikane të dëmtimit të mëlçisë nga barnat, mbi 20% e rasteve të deklaruara me dëmtim të mëlçisë i atribuoheshin suplementeve bimore dhe atyre dietike.
Mëlçia është organi më i madh pastrues (detoksifikues) i trupit. Kjo është arsyeja pse duhet të kontrolloni mëlçinë nëse përdorni nga këto produkte.
Nisur nga ky fakt, mjeku hepatolog Navarro me ekipin e tij analizuan mbi 200 suplemente të raportuara nga qindra pacientë për dëmtim të mëlçisë, për të parë nëse tabelat e tyre reflektonin përmbajtjen reale. Vetëm 90 nga 203 produkte kishin tabela me përmbajtje reale të përbërësve të tyre. Në njërin nga rastet, një sportist me dëmtim të madh të mëlçisë referoi se kishte përdorur një suplement që përmbante Tamoksifen. Ky i fundit është një medikament që kundërshton efektin e estrogjenit (hormon femëror), dhe që përdoret për të parandaluar rishfaqjen e kancerit të gjirit.
Suplementet e shitura për dobësim ose për shtim të masës muskulare kanë prirje të përmbajnë më tepër medikamente të fshehura, pasi krijuesit e tyre duan të japin efekt sa më të shpejtë tek përdoruesit. Vetëm në këtë mënyrë mund të shiten sa më shumë produkte të tilla në popullatë.
Këshilla e ekspertëve është të mos përdorni suplemente nëse regjimi juaj ushqimor është i balancuar, me të gjitha llojet e ushqimeve në brendësi. Nëse duhet medoemos t'i përdorni, tregoni kujdes në përzgjedhjen e tyre, të jenë të kompanive cilësore.
Për sa i takon personave obezë që kërkojnë alternativa të tilla për t’u dobësuar, ose personave që dëshirojnë të kenë muskuj për t’u adhuruar, mënyra më e mirë është ngrënia e shëndetshme, sipas një plani ushqimor të personalizuar, i shoqëruar gjithmonë me ushtrime fizike.