top of page

Zbulo pse je nënpeshë!


Termi “nënpeshë” i referohet një peshe trupore më të vogël se ajo që konsiderohet si pesha “ideale” apo “e shëndetshme”. Pra, shpreh një peshë më të vogël sesa ajo që duhej të kishte një individ i caktuar, në raport me gjatësine e tij. Duke iu referuar BMI-së (indeksit të masës trupore), që përfaqëson raportin e peshës trupore (në kilogramë) me katrorin e gjatësinë trupore (në metër), çdo vlerë e saj nën 18,5 zakonisht interpretohet si nënpeshë.

Nënpesha është gjithmonë e lidhur me regjimin ushqimor?

Shkaku më i shpeshtë i nënpeshës është kequshqyerja, qoftë në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor. E shprehur më thjesht, kequshqyrja është një gjendje që karakterizohet nga respektimi i një regjimi ushqimor, në të cilin disa ushqime mungojnë ose merren me tepricë, ose në raporte jo korrekte me të tjerat. Një gjendje e tillë zakonisht shkaktohet nga ushqyerja për një kohë të gjatë në mënyrë jo të rregullt, jo në oraret e vakteve, si dhe duke konsumuar në sasi të mëdha produkte të varfra në vlera ushqyese, të ashtuquajtura “pa kalori”. Marrja e tepërt e këtyre produkteve, që janë tunduese për shkak të formës së tyre të gatshme ose gjysmë të gatshme, lë jashtë dietës së përditshme ushqime të tjera të pasura me fibra, vitamina dhe minerale, që janë vërtet me vlera të pazëvendësueshme për organizmin.

A është e trashëgueshme nënpesha?

Shumë njerëz janë nënpeshë për shkak të tendencës së tyre gjenetike, pra trashëgimisë. Në fakt, kjo është e rëndësishme nëse njëri nga të afërmit e gradës së parë është nënpeshë. Kështu, nënat nënpeshë kanë fëmijë nënpeshë në 40% të rasteve. Në këtë aspekt, padyshim që ndikon edhe mënyra e ushqyerjes, orientimi ndaj produkteve të caktuara ushqimore, si dhe shpërndarja e ushqimit gjatë ditës, që nëna trashëgon tek fëmijët.

A ka shkaqe të tjera që çojnë në nënpeshë?

Sigurisht që ka!

Nënpesha si pasojë e varfërisë

Shumë njerëz, veçanërisht në vendet e botës së tretë, e vuajnë këtë situatë për shkak të pamundësisë për të siguruar ushqimet e nevojshme për një peshë normale, pasojë kjo e nivelit të ulët ekonomik.

Nënpesha e lidhur me stilin e jetesës

Duke respektuar si pikënisje faktin që pesha trupore është një reflektim i drejtpërdrejtë i raportit të kalorive të marra nëpërmjet ushqimit, dhe atyre të harxhuara nëpërmjet aktivitetit të përditshëm, stili i jetesës luan një rol vendimtar në këtë drejtim. Nënpesha është zakonisht pasojë e harxhimit më të madh të kalorive, në krahasim me sasinë e kalorive që individi merr nëpërmjet ushqimit. Kjo është karakteristikë e njerëzve me profesione të lidhura me punën fizike, që nuk ushqehen në mënyrë të rregullt.

A mund të jetë nënpesha pasojë e ndonjë sëmundjeje?

Nënpesha shpesh herë mund të jetë rezultat i një sëmundjeje mendore ose fizike. Si të tilla mund të përmendim hipertireozën, diabetin e sheqerit, sëmundjen e kancerit, tuberkulozin, SIDA-n, patologjitë e aparatit tretës dhe anoreksinë nervore.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page