A mund të trajtohet nënpesha?
Sigurisht që mund të trajtohet! Skema e trajtimit të personave që janë nën peshën e tyre ideale konsiston në kombinimin e disa faktorëve të rëndësishëm, si ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, stilit të jetesës, dhe/ose përdorimit të disa medikamenteve që nxisin oreksin.
Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes
Mënyra më e shëndetshme për të shtuar në peshë bazohet në rritjen e një kalorazhi ditor, që të tejkalojë sasinë e kalorive që mund të harxhohen gjatë ditës.
Lidhur me këtë, rekomandohet shtimi në ushqimet që konsumohen, i sasive të duhura të produkteve si: gjalpi, ajka e qumështit, gjalpi i kikirikut, vaji i ullirit, salca e bardhë dhe ajo e domates, majoneza, farat dhe arrat, pasi shtojnë kalorazhin e tyre.
Gjithashtu, mjaft efikase në këtë drejtim mund të jetë ngrënia e ushqimeve me shumë kalori, me përmbajtje të lartë proteinike dhe me yndyrna të shëndetshme, si: peshku ton, salmoni, merluci, sardelet, fileto e kraharorit të pulës dhe gjelit, mishi i viçit pa dhjam, veza, frutat (4-6 fruta të ndryshme në ditë), perimet (kryesisht fasulja, bathët, bizelet, brokoli, lakra, karota, patatja), qumështi (4 gota qumësht në ditë) dhe kosi me pak yndyrë, djathi dhe salca e tij, makaronat e bardha, orizi i bardhë, buka e bardhë.
Për sa i takon lëngjeve, rekomandohet kryesisht pirja e ujit gjatë gjithë ditës, por edhe e lëngjeve me shume kalori, si: boza, qumështi dhe lëngu i frutave.
Respektimi i një regjimi ushqimor të rregullt është gjithashtu i rëndësishëm për shtimin në peshë. Kështu, rekomandohen 6 vakte në ditë, 3 vakte kryesore dhe 3 vakte të vogla ndërmjet tyre.
Shëtitjet në ajër të pastër e nxisin oreksin. Gjumi i regullt, në orare dhe kohëzgjatje normale, gjithashtu ndihmon në shtimin në peshë.
Mund të jetë e nevojshme edhe marrja e komplekseve vitaminike zëvendësuese, për personat që nuk marrin mjaftueshëm vitaminat ose mineralet nëpërmjet ushqimit.
Aktiviteti fizik
Konsiderohet një faktor tjetër i rëndësishëm që ndihmon për të shtuar në peshë. Aktiviteti fizik ndihmon direkt në shtimin në peshë nëpërmjet shtimit të masës muskulare, që reflektohet me shtimin e masës trupore. Gjithashtu, aktiviteti fizik ndikon indirekt në shtimin në peshë, sepse nxit oreksin.
Nxitësit e oreksit
Shumë medikamente mund të rritin oreksin, qoftë si një efekt direkt, qoftë edhe si efekt anësor (i padëshiruar) i tyre. Antidepresantët (mirtazapina ose amitriptilina), antipsikotikët (Klorpromazina, Haloperidoli, Tetrahidrocanabinoli), Benzodiazepinat (Diazepami), Antihistaminikët (Prometazina) e shtojnë oreksin si një efekt të padëshiruar.
Në rastet me humbje ekstreme të oreksit, të shkaktuara nga kanceri, SIDA ose gjendje të vazhdueshme të ankthit, mund të lejohet përdorimi i marijuanës mjekësore.
Suplementet e ndryshme vitaminike e kanë efekt parësor shtimin e oreksit.
Respektimi i rekomandimeve të mësipërme ndihmon në shtimin në peshë në mënyrë të shëndetshme dhe estetikisht të kënaqshme. Pasi të keni filluar aplikimin e tyre, duhet të peshoheni çdo javë, por pa pritur mrekullira.
Shtimi në peshë nuk duhet të jetë i menjëhershëm, por gradual: 0,5-1 kg në javë. Nëse vini re që nuk po shtoni më, duhet të konsumoni më shumë ushqim. Nëse kjo ndodh për 2 javë rresht, duhet të shtoni në sasinë ditore edhe 250 kalori të tjera.