top of page

Njihuni me Tiroiden tuaj!


Gjendra Tiroide gjendet në pjesën e përparme të poshtme të qafës. Ajo ka formën e fluturës dhe prodhon tre hormone tepër të rëndësishme për organizmin, që janë Trijodtironina (T3), Tiroksina (T4) dhe Kalcitonina. T3 dhe T4 përgjigjen për metabolizmin trupor në përgjithësi, ndërsa kalcitonina është e fokusuar në metabolizmin e kalciumit.

1. Cilat janë problemet më të shpeshta të gjendrës Tiroide?

Kjo gjendër mund të ketë probleme në strukturë (si zmadhimi i saj, prania e noduseve, kisteve, kancerit të tiroides, etj), dhe/ose çrregullime të funksionit të saj, që mund të reflektohen me prodhim të mangët ose të tepruar të hormoneve tiroidiene. Mosha që preket më shpesh nga këto çrregullime është 40-60 vjeç, kryesisht femrat. Trashëgimia dhe stresi konsiderohen faktorë tepër të rëndësishëm për shfaqjen e sëmundjeve të Tiroides.

2. Ku ndikojnë hormonet e gjendrës Tiroide në organizëm?

Problemet e lidhura me gjendrën Tiroide mund të manifestohen me shqetësime të shumta trupore, sepse dy hormonet e tiroides (T3 dhe T4) ndikojnë në:

  • metabolizmin e lëndëve

  • rregullimin e temperaturës trupore

  • mireqënien e lëkurës dhe flokëve

  • funksionimin e sistemit nervor

  • funksionimin e aparatit kardio-vaskular

  • funksionimin e aparatit të frymëshkëmbimit

  • funksionimin e aparatit gjenital

  • funksionimin e aparatit tretës

  • funksionimin e sistemit endokrin

3. Si mund ta kuptojmë nëse kemi çrregullime të gjendrës Tiroide?

Për shkak të ndikimit të hormoneve tiroidiene në pothuajse të gjitha sistemet e trupit tonë, një person me probleme të gjendrës Tiroide mund të manifestojë një sërë shqetësimesh fizike dhe psiqike, si:

  • probleme te pashpjegueshme me peshën trupore (nënpeshë ose mbipeshë)

  • mungesë e oreksit ose oreks i tepruar

  • tharje e gojës

  • etje e shtuar

  • urinim i shpeshtë

  • tharje e lëkurës dhe e flokëve

  • rënie e vazhdueshme të flokëve

  • djersitje e tepruar

  • intolerancë ndaj të nxehtit ose ndaj të ftohtit

  • çrregullime të jashtëqitjes (kapsllëk i vazhdueshëm ose jashtëqitje 2-3 herë në ditë)

  • dridhje të duarve dhe/ose të të gjithë trupit

  • rrahje të shpejta ose të ngadalta të zemrës

  • luhatje të tensionit arterial

  • nervozizëm të pajustifikueshëm

  • gjendje ankthi dhe/ose depresion

  • çrregullime të gjumit (përgjumje ose pagjumësi)

  • çrregullime të menstruacioneve

  • pamundësi për të realizuar shtatzani

  • mungesë të dëshirës për të kryer marrëdhënie seksuale tek meshkujt dhe tek femrat

  • impotencë seksuale

4. Si duhet vepruar në të tilla raste?

Para së gjithash, është e nevojshme një konsultë me mjekun Endokrinolog, për vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes së pacientit. Më pas, sipas rastit, mjeku rekomandon kryerjen e ekografisë Doppler të gjendrës tiroide, për të vlerësuar strukturën, dimensionet e saj, për evidentimin e një ose disa noduseve në brendësi të tiroides, për të vlerësuar shkallën e furnizimit me gjak të saj, etj. Gjithashtu, mjeku rekomandon edhe dozimin në gjak të nivelit të hormoneve tiroidiene, për të vlerësuar funksionin e saj. Pas vlerësimit të këtyre të dhënave, në disa raste, mund të jetë e nevojshme edhe shintigrafia e gjendrës tiroide, gjithmonë e rekomanduar nga mjeku Endokrinolog.

5. Ka të bëjë stili i jetesës në çrregullimet e gjendrës Tiroide?

Sigurisht që po. Sëmundjet e Tiroides janë të lidhura me faktorë të shumtë, si gjenetikë ashtu edhe mjedisorë. Në këtë drejtim ndikon shumë mënyra e ushqyerjes, cilësia e ushqimeve që konsumojmë, aktiviteti fizik, niveli i ndotjes së mjedisit, shkalla e stresit apo shkalla e rrezatimit, ndaj të cilit një individ ekzpozohet në të përditshmen e tij. Për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve të gjendrës Tiroide, duhet të evitohet konsumi i tepruar i ushqimeve që përmbajnë sasi të mëdha të jodit, duhet të kryhet aktivitet i rregullt fizik (të paktën 30 minuta çdo ditë), mundësisht në ajër të pastër, dhe duhet të evitohet stresi ose të praktikohen teknika që e shkarkojnë atë (joga, meditimi, etj.).

Diagnostikimi në faza sa më të hershme ndihmon në trajtimin në kohë të një sërë problemesh të gjendrës Tiroide, përfshirë këtu edhe kancerin e saj, që ashtu si kanceret e organeve të tjera ka pësuar rritje të ndjeshme të shfaqjes së tij gjatë viteve të fundit.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page