7 Gjëra që nuk duhet t’ia thoni kurrë dikujt që vuan nga ankthi!
Çrregullimet e ankthit përfaqësojnë sëmundjen mendore më të shpeshtë në SHBA, pasi prekin 40 milionë persona të moshës mbi 18 vjeç, që i takon 18% të popullatës. Shumë njerëz vuajnë prej tyre, megjithëse vetëm një pjesë e dinë këtë fakt. Pjesa tjetër rendin nga një mjek tek tjetri për t’i vënë një emër simptomave të tyre, shpesh të ngatërruara me simptoma të sëmundjeve të tjera.
Nëse keni një njeri të afërt me ankth, mbështetja dhe inkurajimi juaj do të ndikonte shumë në ecurinë e tij. Në të vërtetë, shumë prej nesh mund të mendojnë se ky është një proçes i lehtë, mjafton t’i qëndroni pranë dhe t’i jepni qetësuesit sa herë që u shfaqen krizat e ankthit. Në fakt, kjo mënyrë jo vetëm që nuk e përmirëson situatën, por përkundrazi, mund ta përkeqësojë atë. Ja disa këshilla të dobishme për të tilla situata:
1. Mos i thoni kurrë: “Duhet të jesh mirënjohës për shumë gjëra!”
Shumica e njerëzve me ankth kanë kaluar një pjesë të madhe të kohës duke u fokusuar në mirënjohjen. Kur ju i thoni " duhet të jesh mirënjohës", personi me ankth mendon "unë nuk jam duke bërë mjaftueshëm për të qenë i lumtur. Unë nuk jam mirënjohës mjaftueshëm me jetën time.”
Njerëzit që vuajnë nga ankthi e kanë shumë të theksuar ndjenjën e fajit dhe të turpit. Pikërisht ky fakt ju bën të mendoni që ata nuk janë duke u përpjekur mjaftueshëm. Nëse ka diçka që nuk e dini në këtë mes, është që personat që vuajnë nga ankthi kronik përpiqen me çdo qelizë të trupit të tyre për të qënë të lumtur.
Duhet t’i thoni: “Unë të vlerësoj.”
Mos harroni që çdo njeri ka nevojë të ndihet i vlerësuar.
2. Mos i thoni kurrë: “Duhet të meditosh!”
Në fakt, proçesi i meditimit gjendet në listën e gjërave, të cilat çdo person që vuan nga ankthi është përpjekur t’i bëjë, ose i bën rregullisht. Nëse diçka funksionon për mrekulli për ju, kjo nuk do të thotë që funksionon për çdo njeri tjetër.
Duhet ta pyesni: “Çfarë të qetëson?”
Meditimi është një mënyrë qetësimi. Por nuk është e vetmja. T’i tregosh një personi me ankth se çfarë duhet të bëjë, nuk është mënyra më e mirë për ta qetësuar.
3. Mos i thoni: “Çdo gjë do të shkojë mirë”
Kjo nuk e ndihmon dikë që vuan nga ankthi, sepse ankthi krijon iluzione.
Duhet t’i thoni: “Jam këtu për ty. Do të mbështes për ta kaluar këtë.”
Ankthi është një përvojë e pabesueshme izolimi, që ka nevojë për suport nga personat e afërt.
4. Mos i thoni kurrë: “Thjesht ji i lumtur!”
Me këtë shprehje nënkuptoni që sëmundja e këtij personi është thjesht çështje e vullnetit dhe përqëndrimit personal të tij. Kjo është tepër mospërfillëse ndaj problemeve reale që ai mund të ketë.
Duhet t’i thoni: “Çfarë mund të bëj që të ndihesh më i lumtur?”
Kjo i kthen fuqinë personit që ndihet i izoluar, i vetmuar, dhe i komunikon atij që ju jeni në ekipin e tij. Ai mund të ndihet më i sigurtë, duke menduar se dikush është atje për të, duke e ndihmuar për të ecur përpara.
5. Mos i thoni kurrë: “Gjithçka është në kokën tënde!”
Po, ankthi është vërtet një problem mendor, por një deklaratë e tillë e banalizon problemin dhe e shton ndjenjën e fajit të personit që e vuan.
Duhet t’i thoni: “Eja të argëtohemi së bashku!”
Sa më pak të ndihet i izoluar në kokën e tij, aq më e lehtë do të jetë të ndiejë më tepër gëzim për momentin. Mund të ecni në park, të vizitoni një librari, ose të aplikoni jogën. Ushtrimi i këtyre aktiviteteve së bashku, ndihmon në largimin e vëmendjes nga ankthi.
6. Mos e pyesni kurrë: “Për çfarë ke ankth?”
Kjo është pyetja që dëgjojnë më shpesh personat me ankth. Në këtë rast, ju injoroni ndjenjat e tij dhe i impononi komunikim në një situatë që ai nuk është gati. Në këtë mënyrë, ju tregoni që nuk e dini se çfarë po ndodh realisht me të, dhe jeni kureshtarë lidhur me këtë. Veç kësaj, asnjëri prej nesh nuk mund të dijë me siguri se çfarë ndodh realisht me jetën e tjetrit, apo me ndjenjat e tij, qoftë ky edhe person i afërt. Për këtë arsye, përpara se të pyesni dhe ta gjykoni, ofrojini ndihmën tuaj për t’i lehtësuar dhimbjen apo stresin.
Duhet t’i thoni: “Si mund t’ju ndihmoj që të ndiheni më pak i stresuar?”
7. Mos i thoni kurrë: “Ka njerëz që kanë probleme shumë më të mëdha se i yti”.
Personat me ankth përgjithësisht e dinë këtë fakt, dhe i mundon ndjenja e fajit që vuajnë gjendjen e ankthit për një arsye të parëndësishme. Duke ua përmendur këtë fakt, thjesht i bëni ata të ndihen edhe më keq.
Duhet t’i thoni”: “Më vjen vërtet shumë keq. Ke dëshirë të flasim bashkë rreth këtij problemi?”
Gjëja më e dobishme që çdokush mund të bëjë është të jetë inkurajues dhe të ofrojë mbështetje, pa gjykuar.