top of page

Çfarë rrezikojmë nga qëndrimi ulur për një kohë të gjatë?


Shumë prej nesh janë të detyruar të qëndrojnë në pozicionin ulur për orë të tëra, për shkak të profesioneve që ushtrojnë. Studimet afatgjata në këtë kontigjent individësh kanë treguar që ky fenomen mund të shoqërohet me probleme të shumta shëndetsore, për shkak të dëmtimit që ndodh në nivelin e organeve të ndryshme. Problemet më të shpeshta që shfaqen në të tilla raste janë:

1. Çrregullimet kardio-vaskulare

Studimet kanë provuar se qëndrimi ulur për një kohë të gjatë shkakton çrregullime të funksionit të zemrës dhe enëve të gjakut. Kjo për faktin se gjatë qëndrimit ulur muskujt djegin më pak dhjam dhe gjaku qarkullon më ngadalë, duke lejuar acidet yndyrore të pengojnë punën e zemrës. Për këtë arsye, personat që bëjnë jetë sedentare kanë tendencë të zhvillojnë 2 herë më tepër çrregullime kardio-vaskulare, krahasuar me të tjerët.

2. Ngadalësimi i aktivitetit të trurit dhe depresioni

Proçesi i lëvizjes pompon gjakun, dhe bashkë me të edhe oksigjenin për në qelizat e trurit, duke ndihmuar funksionimin korrekt të tyre. Gjithashtu, ai nxit edhe prodhimin e hormoneve që rritin shkallën e humorit. Gjatë qëndrimit ulur për kohë të gjatë, të dy këto proçese ngadalësohen.

3. Diabeti i sheqerit i tipit 2

Pankreasi është një gjendër, që në sajë të funksioneve të tij konsiderohet njëkohësisht pjesë e tubit tretës dhe e sistemit endokrin. Insulina është një hormon i rëndësishëm që prodhohet në pankreas, përgjegjëse për transportimin e glukozës (sheqerit) për në qelizat trupore, ku kjo e fundit shërben si burim energjie. Gjatë qëndrimit ulur, qelizat e muskujve bëhen përtace dhe nuk i përgjigjen në shkallën e duhur insulinës, duke çuar në grumbullimin e sheqerit në gjak (sepse nuk digjet në sasinë e duhur), si dhe të nivelit të vetë insulinës në gjak (për të kompensuar mosveprimin e saj). Në këtë mënyrë, mund të shfaqet diabeti i sheqerit i tipit 2.

4. Osteoporoza

Qëndrimi për orë të tëra pa lëvizur, në pozicionin ulur, mund të shkaktojë osteoporozë. Kjo për faktin se lëvizja dhe ushtrimet me pesha i nxisin kockat e legenit dhe të këmbëve që të forcohen, pra të rritin dendësinë e tyre.

5. Kanceri

Qëndrimi ulur konsiderohet një faktor rreziku për kancerin e kafazit të kraharorit, shtyllës kurrizore dhe të kancerit të mitrës. Kjo mund të shpjegohet me faktin që aktiviteti i rregullt fizik rrit nivelin e antioksidantëve në organizëm, që nga ana e tyre mbrojnë kundër sëmundjes së kancerit. Për pasojë, jeta sedentare na rrezikon të jemi të pambrojtur ndaj kësaj të fundit.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page