Gjumi i tepërt dëmton shëndetin
Ndoshta keni dëgjuar që gjumi i pamjaftueshëm shton riskun për probleme kronike të shëndetit. Tashmë duhet të dini që edhe gjumi i tepërt rrezikon për sëmundje të ndryshme.
Në shoqërinë tonë me përditshmëri të ngarkuar, ku shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të flenë mjaftueshëm, fjetja e tepruar nuk duket se përbën ndonjë problem, madje konsiderohet një privilegj që vetëm pak njerëz mund ta shijojnë.
Në fakt, studimet kanë treguar që orët e zgjatura të gjumit mund të provokojnë probleme kronike shëndetsore në të njëjtën shkallë si edhe mungesa e tij, veçanërisht në moshën e mesme. Në këto studime 6 orë gjumë ose më pak u konsideruan gjumë i mangët, ndërsa 10 orë gjumë ose më tepër si gjumë i tepërt. Kohë optimale e gjumit konsiderohet ajo ndërmjet 7-9 orë në 24 orë.
Studimet tregojnë që risku për probleme psikologjike, diabet të sheqerit, obezitet, sëmundje të arterieve koronare dhe aksidente vaskulare cerebrale është i lartë në të dy kategoritë e rasteve. Madje, ky risk ishte më i lartë tek ata që flinin shumë, krahasuar me ata që flinin pak.
Sigurisht që në shfaqjen e këtyre sëmundjeve ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si shëndeti psikologjik dhe pesha trupore e individit. Gjithsesi, ajo që na mbetet të bëjmë sa herë të kemi mundësi, është të flemë mjaftueshëm, as pak dhe as shumë, për të parandaluar problemet shëndetsore të përmendura më sipër.