top of page

8 Teste mjekësore që duhet t’i kryejë çdo mashkull


Pse kryerja e testeve mjekësore është e rëndësishme për meshkujt?

Kryerja e testeve të duhura në kohën e duhur është gjëja më e rëndësishme që një mashkull mund të bëjë për shëndetin e tij. Testet dhe egzaminimet e caktuara mundësojnë diagnostikimin e sëmundjeve në faza të hershme, përpara shfaqjes së simptomave, duke e bërë më të lehtë trajtimin e tyre. Kështu, diagnostikimi i hershëm i diabetit mund të parandalojë ndërlikime të rënda të tij, si humbja e shikimit apo impotenca seksuale. Diagnostikimi i hershëm i kancerit mund të shpëtojë jetën, dhe të rritë jetëgjatësinë e individit.

Testet që duhet të kryejë një mashkull varen nga mosha e tij dhe faktorët e rrezikut që ai paraqet.

1. Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës konsiderohet kanceri më i shpeshtë në meshkujt amerikanë, pas kancerit të lëkurës. Përgjithësisht ai zhvillohet ngadalë, por ka edhe forma të tij që përparojnë shumë shpejt, në mënyrë tepër agresive. Kryerja e testeve dhe egzaminimeve specifike për këtë sëmundje mund ta zbulojë atë herët, përpara shfaqjes së simptomave, kur trajtimi është edhe më efikas.

Testet për kancerin e prostatës

Në to përfshihet rektoskopia dhe dozimi në gjak i antigenit specifik të prostatës (PSA). Në fakt, këto egzaminime duhet të kryhen pas këshillimit me mjekun, për të diskutuar rreth risqeve dhe përfitimeve të mundshme prej tyre. Kjo vlen kryesisht për:

  • Meshkujt mbi 50 vjeç, me risk mesatar

  • Meshkujt mbi 45 vjeç, me risk të lartë.

2. Kanceri i zorrës së trashë

Kanceri i zorrës së trashë (kolo-rektal) është kanceri i dytë që shkakton më shumë vdekje nga kanceri në botë. Meshkujt kanë një risk më të lartë për ta zhvilluar atë, krahasuar me femrat. Përgjithësisht ai zhvillohet ngadalë, nga polipet e zorrës. Pasi zhvillohet, ai përhapet në pjesët e tjera të trupit. Mënyra më e mirë e parandalimit të tij është evidentimi i hershëm dhe heqja e polipeve të zorrës së trashë, përpara se ata të shndërrohen në kancer.

Testet për kancerin e zorrës së trashë

Testimi për këtë kancer tek meshkujt fillon mbi moshën 50 vjeç. Egzaminimi më i zakonsshëm është kolonoskopia, që mund të evidentojë polipet dhe kancerin e zorrës së trashë (kolo-rektal). Nëpërmjet këtij egzaminimi, mjeku arrin të shohë gjithë zorrën e trashë nëpërmjet një tubi fleksibël të pajisur me një kamera. Gjatë egzaminimit mund të realizohet edhe heqja e polipeve. Një alternativë tjetër është edhe sigmoidoskopia, që egzaminon vetëm pjesën e poshtme të zorrës së trashë.

3. Kanceri i lëkurës

Forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës është melanoma, që e merr origjinën nga disa qeliza të lëkurës, të specializuara për t’i dhënë ngjyrën asaj, që quhen melanocite. Meshkujt e moshuar janë dy herë më të predispozuar për të zhvilliuar melanomën, krahasuar me femrat e të njëjtës moshë. Gjithashtu, meshkujt janë 2-3 herë më të predispozuar për kancer të lëkurës jomelanocitar të qelizave bazale dhe skuamoze, krahasuar me femrat. Risku për kancerin e lëkurës rritet me kalimin e viteve, pas ekspozimit të gjatë nën rrezet e forta të diellit. Pra, rrezatimi diellor rrit shkallën e riskut për të.

Testet për kancerin e lëkurës

Shoqata Amerikane e Kancerit dhe Akademia Amerikane e Dermatologjisë rekomandojnë vetëegzaminim të rregullt të lëkurës, veçanërisht të nishaneve nga çdo individ, duke kontrrollluar për ndonjë ndryshim të dukshëm të ngjyrës, formës apo madhësisë së tyre. Egzaminimi tek dermatologu apo specialist të tjerë duhet të jetë pjesë e kontrrolleve të rregullta për parandalimin e kancerit. Trajtimet për kancerin e lëkurës janë shumë efektive dhe pa pasoja estetike nëse diagnostikohen dhe trajtohen në stade të hershme.

4. Presioni i lartë i gjakut (Hipertensioni arterial)

Risku për të patur hipertension rritet me rritjen e moshës. Gjithashtu, ai lidhet edhe me peshën trupore dhe mënyrën e jetesës. Hipertensioni mund të çojë në ndërlikime të rënda pa shfaqur simptoma paraprake. Edhe pse është sëmundje kronike, hipertensioni mund të trajtohet, në mënyrë që të pakësohet risku për sëmundje të zemrës, të veshkave dhe aksidente vaskulare në zemër dhe në tru. Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga hipertensioni është matja e rregullt e tij dhe nëse është i lartë, bashkëpunimi me mjekun për ta menxhuar sa më mirë.

Testet për presionin e lartë të gjakut

Presioni i gjakut ka dy vlera gjatë matjes së tij. Vlera e parë (sistolike) është presioni i gjakut në arterie kur zemra rreh. Vlera e dytë (diastoliku) është presioni ndërmjet rrahjeve të zemrës. Vlerat normale të tyre janë përkatësisht 120 dhe 80 mmHg. Presioni i gjakut konsiderohet i lartë kur është mbi 140/90 mmHg, dhe i ulët kur është nën 120/80 mmHg. Ndërmjet këtyre vlerave gjendet faza e prehipertensionit. Shpeshtësia e matjes së presionit të gjakut varet nga vlera e tij dhe nga numri i faktorëve të rrezikut që një person bart.

5. Rritja e nivelit të kolesterolit

Niveli i rritur i kolesterolit në gjak shkakton formimin e pllakave aterosklerotike në muret e arterieve. Kjo shton rrezikun për sëmundje të zemrës. Ateroskleroza mund të përparojë pa simptoma për shumë vjet. Me kalimin e kohës, ajo mund të shkaktojë goditje në zemër ose në tru. Ndryshimet e shëndetshme të mënyrës së jetesës dhe mjekimi specifik mund të pakësojnë “kolesterolin e keq” (LDL-kolesterolin) dhe të ulin shkallën e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut.

Matja e niveleve të kolesterolit

Matja e nivelit të yndyrnave (lipidograma) në gjendjen esëll është një analizë gjaku që tregon nivelet e kolesterolit total, LDL-kolesterolit (kolesteroli i keq), HDL-kolesterolit (kolesteroli i mirë) dhe triglicerideve. Në varësi të rezultatit të tyre, mjeku ju këshillon për mënyrën e ushqyerjes dhe trajtimet e nevojshme. Meshkujt mbi 20 vjeç duhet të bëjnë një lipidogramë të paktën çdo 5 vjet, ndërsa duke filluar nga mosha 35 vjeç, matja e nivelit të kolesterolit duhet të bëhet në mënyrë të rregullt.

6. Diabeti i sheqerit i tipit 2

Rreth 1/3 e personave me diabet nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje. Diabeti i pakontrolluar mirë mund të çojë në sëmundje të zemrës, të veshkave, në verbim nga dëmtimi i enëve të gjakut të retinës së syrit, në dëmtim të nervave dhe imptotencë seksuale. Këto ndërlikime mund të parandalohen nëpërmjet trajtimit të rregullt, veçanërisht nëse diagnostikimi i tij bëhet në një stad të hershëm. Rol të madh në menaxhimin e diabetit luajnë edhe mënyra e ushqyerjes, aktiviteti fizik dhe normalizimi i peshës trupore.

Testet për Diabetin tip 2

Matja e nivelit të sheqerit në gjendjen esëll është mënyra më e mirë e testimit për diabetin e sheqerit. Për të vlerësuar ecurinë e tij dhe efikasitetin e trajtimit, dozohet HbA1c (hemoglobina e glukozuar), përgjithësisht çdo 3 muaj. Meshkujt që janë të shëndetshëm, duhet të matin sheqerin në gjak çdo 3 vjet, duke filluar nga mosha 45 vjeç. Nëse kanë faktorë të tjerë risku, si psh. yndyrnat e larta në gjak dhe/ose hipertension arterial, testimi mund të fillohet më herët dhe të kryhet më shpesh.

7. Virusi i imunodefiçiencës (HIV)

HIV është virusi që shkakton sëmundjen e Sidës. Ai gjendet në gjak dhe në sekrecione të tjera të personave të infektuar prej tij, madje edhe kur ata nuk paraqesin simptoma. Ky virus përhapet nga një person tek tjetri kur këto sekrecione bien në kontakt me vaginën, zonën anale, gojën, sytë apo çarjet në lëkurë. Ende nuk është zbuluar mjekimi specifik apo vaksina kundër tij. Trajtimet moderne mund ta pengojnë kalimin e infeksionit nga HIV në sëmundjen e Sidës, por ato kanë efekte anësore të rënda.

Testimi për HIV

Personat e infektuar nga HIV mund të mos shfaqin simptoma për shumë vjet. E vetmja mënyrë për ta ditur nëse janë të infektuar ose jo është kryerja e disa analizave të gjakut. Testi i parë quhet ELISA ose EIA. Ai teston për praninë e antitrupave ndaj virusit HIV në gjak. Egziston mundësia të mos jeni i infektuar dhe testi të rezultojë pozitiv. Për këtë arsye, për të konfirmuar rezultatin pozitiv kryhet një test i dytë. Gjithsesi, nëse jeni infektuar kohët e fundit, rezultati mund të dalë negativ, pasi bëhet fjalë për “periudhën dritare”, ku antitrupat ende nuk evidentohen në gjak. Në të tilla raste, rekomandohet përsëritja e testeve pas 6 muajsh.

Nëse mendoni se keni qenë i ekspozuar ndaj virusit HIV, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj.

Parandalimi i Përhapjes së HIV-it

Pjesa më e madhe e personave të infektuar nga HIV rezultojnë pozitivë dy muaj pas infektimit, dhe 5% e tyre janë ende negativë pas 6 muajsh. Marrëdhëniet seksuale të sigurta (nëpërmjet përdorimit të prezervativit) janë të nevojshme për të shmangur marrjen e HIV-it dhe të sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme. Nëse jeni infektuar nga HIV dhe jeni shtatzënë, diskutoni me mjekun tuaj rreth masave që duhet të merrni për të pakësuar rrezikun e infeksionit të HIV-it mbi fetusin. Përdoruesit e drogës nuk duhet të përdorin të njëjtat shiringa me njëri-tjetrin për injektimin e saj.

8. Glaukoma

Ky grup i sëmundjeve të syrit shkatërron gradualisht nervin e shikimit dhe mund të çojë në verbim. Është e rëndësishme për t’u theksuar që humbja e pakthyeshme e shikimit mund të ndodhë përpara se personi me glaukomë të ketë ndonjë simptomë. Egzaminimi syrit për çrregullime të presionit të gjakut brenda tij, për diagnostikimin dhe trajtimin sa më të hershëm të glaukomës, është mënyra më e mirë e parandalimit të situatave të tilla fatale.

Testimi për glaukomën

Egzaminimi i syve për glaukomë bazohet tek mosha dhe risku personal i çdo individi. Kështu, ai duhet të kryhet:

Nën moshën 40 vjeç: çdo 2-4 vjet

Në moshën 40-54 vjeç: çdo 1-3 vjet

Në moshën 55-64 vjeç: çdo 1-2 vjet

Mbi moshën 65 vjeç: çdo 6-12 muaj

Nëse bëni pjesë në grupet me risk të lartë për glaukomë (afro-amerikanët dhe personat me histori familjare për glaukomë), diskutoni me mjekun tuaj për shpeshtësinë e kryerjes së egzaminimit të syve.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page