top of page

5 Ushqime më të shëndetshme nga sa i mendonit


Ndonjëherë dëgjojmë diçka negative për një ushqim të caktuar, dhe ai na mbetet në mendje si një produkt jo i shëndetshëm, edhe pse ekspertët mund të argumentojnë të kundërtën. U referohemi 5 ushqimeve të mëposhtme, për të cilat ekspertët e fushës së ushqyerjes e pranojnë tashmë që konsumimi i tyre na bën më të shëndetshëm dhe më të lumtur.

Vezët

Vezët, ose specifikisht e verdha e vezës, është një burim i pasur kolesteroli. Dhe meqenëse pllakat që bllokojnë arteriet dhe dëmtojnë zemrën përbëhen kryesisht nga kolesteroli, njerëzit e evitojnë këtë produkt nga dieta e tyre. Por ekspertët theksojnë që nuk ka ende asnjë të dhënë serioze që personat që konsumojnë më shumë vezë të kenë rrisk më të lartë për të zhvilluar atak në zemër.

Veza është e mirë për ju sepse: Një sërë studimesh serioze konfirmojnë që kolesteroli i vezës ka një impakt tepër të vogël në nivelet e kolesterolit në gjak. Në fakt, ushqimet e pasura me yndyrna të ngopura dhe yndyrna trans janë ato që rritin koleseterolin në gjak. Nga kjo rezulton që njerëzit e shëndetshëm mund të konsumojnë deri në shtatë vezë në javë. Si një produkt i pasur me proteina, vitaminë D dhe fosfor, veza përfaqëson një ushqim të mirë dhe lehtësisht të asimilueshëm.

Kafeja Shumë njerëz e konsiderojën konsumin e saj si një zakon të pashëndetshëm, po aq sa edhe duhanpirja dhe konsumi i alkoolit. Për pasojë, ata e kufizojnë konsumin e saj ose e evitojnë krejtësisht, edhe pse në të vërtetë e shijojnë shumë këtë produkt.

Në të vërtetë, kafeja është shumë e mirë për ju sepse: Kur studiuesit e Universitetit të Harvardit analizuan zakonin e konsumit të kafesë tek 130 000 vullnetarë (femra dhe meshkuj të shëndetshëm me moshë nga 40-50 vjeç), dhe i vlerësuan ata për 18-24 vjet të tjerë, nuk konkluduan që konsumi i deri 6 filxhanëve kafe në ditë të shtonte riskun për vdekje nga ndonjë shkak.

Rezultatet e këtij studimi sugjeruan që nëse dëshironi të përmirësoni shëndetin tuaj, është mirë të fokusoheni në faktorët e tjerë të stilit të jetesës, si shtimi i aktivitetit fizik, lënia e duhanit, ose konsumi i më tepër drithërave. Sigurisht që këtu po flasim për kafenë e zezë. Të gjitha dobitë shëndetsore të saj zhduken nëse i shtojmë sheqer dhe krem qumështi.

Përjashtim nga rregulli përbëjnë: personat që kanë problem me presionin e gjakut, pra vuajnë nga hipertensioni arterial ose diabeti i sheqerit, të cilët mund të duhet ta evitojnë kafenë ose të konsumojnë variantin pa kafeinë. Kafeina është një stimulues që mund të përshpejtojë rrahjet e zemrës dhe të rritë presionin e gjakut.

Vera Konsumi i sasive të mëdha të verës së kuqe mund të rritë presionin e gjakut dhe riskun për disa tipe kanceresh. Në vitin 2014, kur një studim Italian zbuloi se antioksidanti resveratrol, shpesh i konsideruar si elementi kryesor nga i cili buronin efektet e shëndetshme të verës së kuqe, nuk e reduktonte riskun për të zhvilluar sëmundje kardio-vaskulare, kancere ose vdekje, përsëri u shtrua pyetja: a është vera e kuqe realisht e mirë për shëndetin?

Vera e kuqe është e mirë për ju sepse: Edhe pse studimi i mësipërm nuk zbuloi përfitime shëndetsore të resvetrolit, kërkues të tjerë si Dr. Richard D. Semba i Universitetit Johns Hopkins konkluduan nga studime të tjera se vera e kuqe, çokollata e zezë dhe frutat e pyllit mund të reduktojnë inflamacionin dhe të mbrojnë zemrën. Ky efekt i atribuohet polifenoleve ose substancave të tjera që gjenden në këto ushqime.

Avokado Në një avokado të vogël gjenden 21 gramë yndyrna. Kjo është një sasi e konsiderueshme! Në fakt, nëse do t’i referoheshim çdo produkti për yndyrnat që përmban, një akullore përmban 17 gramë, një molto 18 gramë dhe një hamburger 20 gramë. Duke i krahasuar me këto produkte, yndyrnat që gjenden tek avokado janë të shëndetshme për zemrën, sepse janë të pangopura.

Avokado është e mirë për ju sepse: Një studim i kryer në vitin 2015 nga Shoqata Amerikane e zemrës zbuloi se konsumi i një avokadoje në ditë mund të ulë LDL-kolesterolin, pra kolesterolin e keq. Për këtë arsye, njerëzit duhet të orientohen drejt konsumit të produkteve të shëndetshme për zemrën, siç është edhe avokado.

Kikirikët dhe gjalpi i kikirikut Nga shumë njerëz konsiderohen si bomba me kalori. Në fakt, kikirikët dhe gjalpi i tyre janë të pasura me yndyrna të pangopura, të shëndetshme për zemrën, dhe sasi të mëdha proteinash. Epidemia e obezitetit dhe sasitë e mëdha të karbohidrateve të rafinuara në ushqime ka shkaktuar një furtunë të vërtetë çrregullimesh të metabolizmit dhe sëmundjesh të zemrës.

Për të luftuar këtë fenomen, një strategji e mirë do të ishte zëvendësimi i karbohidrateve (veçanërisht atyre të rafinuara) me yndyrna të pangopura dhe/ose burime të shëndetshme proteinash. Kështu, nëse deri tani keni menduar se një byrek është një ushqim më i shëndetshëm krahasuar me kikirikët apo gjalpin e tyre, duhet të ndryshoni mendim.

Kikirikët dhe gjalpi i tyre janë të mirë për ju sepse: Studime të ndryshme kanë treguar se individët që konsumojnë kikirikë më shumë se 2 herë në javë kanë një risk më të ulët për sëmundje koronare të zemrës. Ky rezultat tregon që efekti mbrojtës i kikirikëve për zemrën mund të shkaktohet pjesërisht nga efekti pozitiv i tyre mbi shëndetin e arterieve.


Featured Posts
Recent Posts
Archive
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square
bottom of page