5 Problemet shëndetsore që mund të diagnostikohen nëpërmjet frymës suaj
Mund të tingëllojë si diçka joreale, si pjesë e një filmi fantastik, por në fakt idea e përdorimit të një testi të frymës për të diagnostikuar sëmundje të ndryshme e ka origjinën qysh në kohën e Hipokratit. Rreth 400 vjet para erës sonë, Hipokrati hodhi një hipotezë mbi lidhjen midis aromës së frymës dhe sëmundjeve. Për shumë vjet, mjekët kanë vërejtur sesi bashkëshoqërohen aroma të veçanta të frymës me sëmundje të caktuara. Në ditët e sotme, ata kanë mundësinë për të diagnostikuar sëmundjet përmes testimit të frymës së gjithsecilit.
Më poshtë mund të informoheni mbi disa sëmundje që mund të zbulohen nëpërmjet frymës suaj:
1. Kanceri i mushkërive
Shkencëtarët e kanë pranuar faktin që disa kafshë janë të afta të nuhasin disa sëmundje tek njerëzit, nëpërmjet frymës së këtyre të fundit. Duke u nisur nga ky fakt, ata janë përpjekut të krijojnë një teknologji të “hundës elektronike”. Nëpërmjet kësaj pajisjeje, mund të diferencohet kanceri i mushkërive nga sëmundjet e tjera të mushkërive, dhe nga njerëzit e shëndetshëm, thjesht dhe vetëm nëpërmjet një kampioni fryme. Sensitiviteti i kësaj metode ka rezultuar i lartë: nga një grup prej 128 personash joduhanpirës dhe 114 duhanpirës, u keqdiagnostikuan vetëm 10 individë.
2. Insufiçienca kardiake
Studiuesit kanë arritur të detektojnë insufiçiencën kardiake përmes një analize të frymës së pacientit. Në fakt, ky test u përdor fillimisht për të detektuar insufiçiencën renale përmes një testi të frymës, ndërkohë që pacientët për zemrën u morën si grup kontrrolli. Nga testi rezultoi se edhe këta të fundit reflektonin çrregullime specifike të zemrës, sipas karakteristikave të frymës. Ky studim revolucionarizoi mënyrën e detektimit të sëmundjeve të zemrës, nëpërmjet një testi të tillë alternativ joinvaziv.
3. Insufiçienca renale
Fryma që ka një aromë të ngjashme me amoniakun mund të shfaqet ndonjëherë tek personat që vuajnë nga insufiçienca renale kronike. Kjo aromë përshkruhet edhe si e ngjashme me atë të urinës ose të peshkut. Veshkat eleminojnë produktet e panevojshme nga gjaku. Kur funksioni i tyre dobësohet, ato nuk arrijnë dot ta realizojnë këtë proçes. Ky fenomen njihet si stadi përfundimtar i sëmundjes së veshkave. Në një situatë të tillë, meqenëse helmet grumbullohen në organizëm, njëra formë e eleminimit të tyre është ajo përmes sistemit të frymëshkëmbimit, në formën e frymës me aromë të keqe.
4. Obeziteti
Studimet kanë treguar që fryma e një personi mund të tregojë sesa i prirur mund të jetë ai për të zhvilluar obezitet.
Kështu, personat që kanë përëndrim më ta lartë të gazeve metan dhe hidrogjen në frymën e tyre, kanë BMI më të lartë dhe përqindje më të madhe të dhjamit në trup, krahasuar me individët që kanë përqëndrime normale të të dy gazeve, ose përqëndrim të lartë vetëm të metanit ose vetëm të hidrogjenit.
5. Diabeti i sheqerit
Një frymë me aromë fruti të kalbur, ose e ngjashme me acetonin, mund të tregojë për një problem serioz të pacientëve me diabet, që njihet si ketoacidoza diabetike. Ajo përfaqëson një problem kërcënues për jetën, që shfaqet kur organizmi nuk mund ta përdorë sheqerin si burim energjie sepse nuk ka mjaftueshëm insulinë, ose indet nuk i përgjigjen mjaftueshëm veprimit të saj. Për pasojë, në vend të sheqerit përdoren yndyrnat, të cilat zbërthehen në disa produkte të quajtura ketone, që grumbullohen në organizëm. Pikërisht prania e këtyre të fundit reflektohet me aromën specifike të frymës tek këta pacientë.